Drejtësia restauruese

Drejtësia restauruese, një qasje alternative në zgjidhjen e pasojave që vijnë nga kryerja e një vepre penale, po promovohet, zhvillohet dhe zbatohet në mbarë botën. Kjo qasje e re është një praktikë e re në drejtësinë shqiptare. Në vitin 2005 filloi zbatimi i një projekti pilot një-vjeçar në qytetin e Tiranës për aplikimin e drejtësisë restauruese dhe ndërmjetësimit viktimë-kundërvajtës te të rinjtë 14-21 vjeç që ishin në konflikt me ligjin. Projekti u ndërmor nga Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” (FZK), me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme Norvegjeze (përmes Shërbimit Norvegjez të Ndërmjetësimit). Ky projekt u zbatua në bashkëpunim me Policinë e Qarkut Tiranë. Qëllimi kryesor i projektit ishte zgjidhja e konflikteve penale midis të rinjve me anë të metodës së ndërmjetësimit në përputhje me legjislacionin përkatës. Më anë të kësaj zgjidhjeje u synua gjithashtu pajtimi i viktimës (të dëmtuarit) dhe të akuzuarit, rehabilitimi i të akuzuarit, gjetja e një alternative të pranueshme për palët në konflikt, parandalimi i zgjidhjeve gjyqësore të konflikteve dhe zbutja e pasojave sociale të këtyre konflikteve. Në kuadër të zbatimit të këtij projekti u zgjidhën 155 konflikte penale midis të rinjve, me anë të alternativës së ndërmjetësimit dhe pajtimit. Duke marrë parasysh rezultatet e procesit monitorues, ku të gjithë palët u shprehën pozitivisht për procesin e ndërmjetësimit dhe efektin parandalues të krimit me anë të ndërmjetësimit viktimë-kundërvajtës, ky projekt u pasua nga në kuadër të Reformës së Drejtësisë për të Miturit të ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë, Komisioni Europian, SIDA dhe UNICEF. Projekti është mbështetur dhe nga Shërbimi Norvegjez i Ndërmjetësimit. Aktualisht programi i drejtësisë restauruese mbështetet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, Save the Children, UNICEF dhe OSBE. Qëllimi kryesor është zhvillimi institucional i drejtësisë restauruese në Shqipëri.